Dhunė ndaj gejėve nė Kosovė
e enjte , 24 janar 2008
Situata e personave gejë në Kosovë, tashmë ka filluar të bëhet më e rrezikuar. Kjo ndodh në kohën kur edhe aktivizmi i lëvizjes LGBT ka filluar të bëhet më frekuent. Natën e Vitit të Ri, dy persona nga Prishtina, janë sulmuar nga persona të panjohur. Njërit i është thyer krahu, ndërsa tjetrit i janë shkaktuar lëndime në sy, fytyrë, dhe tentim prerjeje në qafë, me ç’rast shenjat janë shumë evidente. Ata mënjëherë pasi kanë arritur të ikin nga sulmuesit i janë drejtuar stacionit verior të policisë në Prishtinë. Atje ata kanë dhënë deklaratat e tyre, por përveq denoncimit të rastit, atyre u është dashur të përballen edhe me arrogancën, joprofesionalizmin dhe paragjykimet e pjesëtarëve të SHPK-së. Komentet e tyre gjatë marrjes së deklaratave ishin nga më të ndryshmet si “homoseksualiteti në Kosovë nuk është legal”, pastaj “sa do të kisha pasë dëshirë t’i shihja duke ju rrahur”. Kështu, viktimat në fjalë janë viktimizuar dyfish, por kësaj rradhe haptas edhe nga policia vendore. Duke parë gjendjen shëndetësore të viktimave, pasi këta të fundit kanë kërkuar të dërgohen në qendrën klinike universitare, policia i ka dërguar ata në këtë qendër. Atje, poashtu nuk janë pritur mirë edhe nga stafi mjekësor, por sidoqoftë, janë kuruar.

Sjelljet johumane kanë vazhduar edhe më tutje, pas qëndrimit në spital të njërit prej viktimave. Por pasi rasti është publikuar në shtypin ditor, policia ishte marr me rastin më ndryshe, duke bërë njërin nga infermierët të kërkojë falje për sjelljet e tij ndaj njërës viktimë.

Ne do të apelojmë te organizatat që merren me të drejtat e njeriut, zyrat e huaja përfaqësuese në Kosovë dhe organet e Qeverisë që të marrin masa të duhura për këto veprime, e sidomos për pjesëtarët e SHPK-së, të cilët kanë keqpërdorur detyrën e tyre duke harruar profesionalizmin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.