|
Dy tinejxherë Iranianë – njëri 18 vjeçar, ndërsa tjetri besohet të ketë qenë 16 apo 17 vjeçar, janë ekzekutuar më 19 Korrik për shkak të “krimit” të homoseksualitetit, ka njoftuar Agjencia Iraniane Studentore (ISNA). ISNA poashtu ka lansuar fotografitë tmerruese të dy të rinjve, gjatë momenteve të fundit të tyre të jetës. Ata janë varur në litar më 19 Korrik në sheshin Edalat (Drejtësia) në qytetin veri-lindor, Mashhad, me urdhërin legjislativ numër 19.
Çfarëdo akti homoseksual në Republikën Islamike të Iranit dënohet me vdekje. Homoseksualiteti në Iran është ilegal dhe personat që kapen duke bërë akte të tilla dënohen në forma të ndryshme, duke filluar që nga varja në litar, hedhja e gurëve, kokëprerja me shpatë deri te hedhja e trupit nga pirgu më i lartë. Këto janë katër stile të vrasjes.  Sipas nenit 152, nëse dy meshkuj që nuk kanë lidhje gjaku mes veti shihen lakuriq nën të njëjtën mbulesë apo në të njëjtën dhomë, që të dy do të ndëshkohen sipas vendimit të gjyqtarit.
Akti i frotazhit poashtu ndëshkohet me 100 fshikullima kamxhiku, nëse kryhet nga një shtetas iranian, kurse nëse akti kryhet nga një jomysliman atëherë pason dënimi me vdekje.
Sipas nenit 155 ndalohet edhe “puthja me epsh”, derisa ky Ligj bizar po punon në drejtim të ndalimit të zakoneve miqësore midis meshkujve Persikë, si aktin e puthjes në faqe me rastin e takimit, apo mbajtjes për duarsh në publik.
Statistikat e dhëna nga zyrtarët Iranianë të fushatës për të drejtat e njeriut, thonë se prej vitit 1979 kur Ajatollahët kanë zaptuar pushtetin, janë ekzekutuar më se 4000 lezbike dhe gejë.
Menjëherë pas këtij akti të tmerrshëm të shtetit Iranian, kanë reaguar qeveri të ndryshme botërore, duke e dënuar aktin si shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.
Me iniciativën e disa organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve LGBT, edhe Holanda ndaloi ligjin i cili refuzon kërkesën për dhënien e azilit shtetasve Iranianë në baza të diskriminimit seksual apo rrezikimit të jetës për shkak të orientimit. Ndërkohë, një gjyq në Gjermani kishte marrë vendimin për rikthimin në atdhe të një të riu Iranian, i cili kishte parashtruar kërkesë për azil, në baza të njëjta, mijëra aktivistë dhe qytetarë nga bota kishin mbledhur nënshkrimet për një peticion dërguar autoriteteve gjermane.
Disa dhjetëra protesta publike ishin organizuar anembanë Evropës, duke marshuar nëpër rrugë apo edhe përpara Ambasadave Iraniane, ku veçojmë atë të Milanos në Itali, në të cilë morën pjesë afro 2000 protestues para Konsullatës Iraniane. |